Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, të ushtruar kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) të datës 2 tetor 2026, me të cilin ai u largua nga pozita e tij udhëheqëse.
Në aktvendimin e marrë më 27 tetor 2026, kolegji i Supremes vlerësoi se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për shqyrtimin e ankesës në kuadër të kompetencës së veçantë të kësaj gjykate sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Sipas Gjykatës Supreme, faktori që sjell ndërprerjen e funksionit udhëheqës nuk e përcakton automatikisht natyrën disiplinore të vendimit. Vendimi i KPK-së për largimin e Isufajt është nxjerrë bazuar në nenin 22 të Ligjit për Këshillin Prokurorial, pa u konstatuar përgjegjësia e tij disiplinore, gjë që e bën atë një akt individual me karakter administrativ.
Gjykata Supreme sqaroi se ligjshmëria e këtij vendimi duhet t’i nënshtrohet kontrollit gjyqësor përmes procedurës së konfliktit administrativ në gjykatën kompetente lëndore, duke udhëzuar kështu ndjekjen e rrugës administrative dhe jo atë të ankesës direkte në Supreme. /E.A/
