UBT News

Gjykata Speciale nis procedurat për kompensimin e viktimave në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

Kryetari i Trupit Gjykues në Dhomat e Specializuara në Hagë, Charles L. Smith, ka marrë vendim për nisjen e procedurave që lidhen me kompensimin dhe reparacionet ndaj viktimave në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Përmes këtij urdhri, të bazuar në nenin 22(8) dhe rregullën 168 të rregullores së gjykatës, Trupi Gjykues ka caktuar kalendarin e afateve për Mbrojtjen, Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Përfaqësuesin e Viktimave për paraqitjen e kërkesave dhe provave përkatëse.

Afatet kryesore të caktuara nga Trupi Gjykues:

22 Shtator 2026: Mbrojtja duhet të paraqesë çdo kundërshtim eventual lidhur me zhvillimin e procedurës së reparacioneve, si dhe të njoftojë nëse synon të paraqesë prova. Po ashtu, brenda kësaj date Përfaqësuesi i Viktimave duhet të njoftojë për çdo ndryshim në paraqitjen e provave, ndërsa Sekretaria dhe Mbrojtja duhet të riklasifikojnë apo dorëzojnë versionet publike të parashtresave të nëntorit 2025.

25 Shtator 2026: Afati i fundit që Përfaqësuesi i Viktimave dhe ZPS-ja të dërgojnë përgjigjet e tyre ndaj kundërshtimeve të mundshme të Mbrojtjes.

7 Tetor 2026: Data deri kur Përfaqësuesi i Viktimave mund të paraqesë provat e tij lidhur me dëmshpërblimin.

14 Tetor 2026: Përfaqësuesi i Viktimave obligohet të dorëzojë kërkesën përfundimtare e zyrtare për reparacione.

4 Nëntor 2026: Mbrojtja dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet t’i përgjigjen zyrtarisht kërkesës së paraqitur për kompensimin e viktimave.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version