Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për t’ua vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit.
Lajmin e ka bërë të ditur gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila po raporton drejtpërdrejt nga Haga.
Sipas gazetares, vendimi është marrë nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, pasi sot përfundonte afati ligjor nga vendimi i fundit i marrë më 15 korrik. Mujku sqaron se ky veprim përbën një procedurë të zakonshme formale për respektimin e afateve gjyqësore.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, për dy të akuzuarit e tjerë në këtë proces, Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, ende nuk ka një njoftim të ri lidhur me masën e paraburgimit.
Kjo masë procedurale vjen pikërisht një ditë para shpalljes së aktgjykimit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /E.A/
