UBT News

Gjykata në Fier ashpërson masat ndaj vajzave që dhunuan 17-vjeçaren, hetohen edhe për shantazh

Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për vajzat e përfshira në dhunimin dhe filmimin e një 17-vjeçareje, pasi rasti mori vëmendje të gjerë publike dhe institucionet reaguan duke e trajtuar atë si më shumë se një konflikt mes adoleshentesh.

Për 19-vjeçaren, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit deri në përfundim të hetimeve, ndërsa 15-vjeçarja tjetër është lënë në arrest shtëpiak.

Ndërkohë, e mitura e tretë e përfshirë në ngjarje është dërguar për mjekim të detyruar, pasi, sipas autoriteteve, pas incidentit dhe një episodi dhune ndaj nënës së saj, është konstatuar se ka probleme të shëndetit mendor.

Sipas informacioneve të siguruara nga Top Channel, dhunimi i 17-vjeçares nuk është e vetmja çështje penale që po hetohet ndaj tre adoleshenteve. Policia e Fierit dyshon se ato kanë qenë të përfshira edhe në një skemë shantazhi.

Sipas hetimeve paraprake, vajzat dyshohet se joshnin burra përmes komunikimeve online dhe u caktonin takime në hotele. Më pas, në vend të takimit paraqitej një person tjetër, i cili i fotografonte dhe, sipas dyshimeve, këto pamje përdoreshin më pas për t’i shantazhuar.

Në këtë skemë dyshohet se ka rënë edhe një efektiv policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja. Edhe pse ai e kishte takuar vetëm në një lokal dhe jo në hotel, bisedat e zhvilluara mes tyre dyshohet se u përdorën për ta kërcënuar, me kërkesën që procedimi penal ndaj vajzave për dhunimin e 17-vjeçares të mbyllej, në të kundërt komunikimet do të publikoheshin në internet.

Për këtë rast, efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për zbardhjen e plotë të rrethanave./TCH/A.K/

Exit mobile version