UBT News

Gjykata Evropiane kërkon nga Rusia më shumë angazhim në parandalimin e dhunës në familje

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka kërkuar Rusisë që të trajtojë “shkallën marramendëse” të dhunës në familje ndaj grave, përcjell UBT News.

Gjyqtarët i bënë thirrje Moskës të prezantojë masa të reja krahas “problemeve sistematike në sigurimin e ndjekjeve penale dhe dënimeve”.

Vendimi erdhi pas një rasti që përfshinte katër gra ruse, të cilat ishin abuzuar nga partnerët e tyre. Gjykata Evropiane tha se autoritetet ruse kishin dështuar t’i mbronte ato nga dhuna dhe t’i përgjigjeshin rasteve të tyre siç duhet.

Një prej grave u rrëmbye nga burri i saj në vitin 2017 dhe iu prenë duart me sëpatë në një pyll. Më vonë ajo rifitoi funksionin e kufizuar të dorës së majtë, ndërsa bashkëshorti i saj u dënua me 14 vjet burg.

Moska u urdhërua t’u paguajë katër grave gjithsej mbi 450,000 euro dëmshpërblim, shpenzime mjekësore dhe tarifa ligjore.

Gjykata rekomandoi që Rusia duhet të bëjë “ndryshime urgjente në ligjin dhe praktikën e brendshme për të parandaluar shkeljet e ngjashme”. Rusisë i’u kërkua që të prezantojë një përkufizim ligjor të dhunës në familje në forma të ndryshme, si dhe urdhra kufizues dhe mbrojtës.

Mari Davtyan, avokate dhe aktiviste për të drejtat e grave që përfaqësonte dy gra në këtë rast, ka përshëndetur këtë vendim.

“Nuk është hera e parë që gjykata vëren dështimin e Rusisë për të përmbushur detyrimet e saj për mbrojtjen nga dhuna në familje, por këtë herë gjykata theksoi qartë dhe në detaje masat që Rusia duhet të marrë”, tha Davtyan në një postim në Facebook.

Përpjekjet e mëparshme për të krijuar masa kundër dhunës në familje që do të parandalonin këto krime janë përballur me rezistencë nga autoritetet ruse.

Sulmi ndaj një anëtari të familjes në vend aktualisht klasifikohet vetëm si kundërvajtje e dënueshme me gjobë prej vetëm rreth 60 €./UBTNews/

Exit mobile version