UBT News

Gjykata e arsyeton me “mbrojtjen e familjes” seancën që do të mbahet e mbyllur ndaj Jeton Sylajt

Gjykata Themelore në Pejë ka marrë vendim që shqyrtimi fillestar ndaj Jeton Sylajt, i akuzuar për kanosjen e ish-bashkëshortes së tij të ndjerë, Arlinda Zekaj, të mbahet i mbyllur për publikun.

Sipas aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, seanca u vendos të mbyllet me kërkesë të Prokurorisë, me qëllim të mbrojtjes së jetës personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë. Gjykata i ka kushtuar rëndësi të veçantë edhe interesit më të mirë të fëmijës së mitur të çiftit, duke vlerësuar se mbrojtja e privatësisë së tij është me interes legjitim.

Jeton Sylaj akuzohet nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprën penale “Kanosja”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme psikike e fizike ndaj Zekajt, e ka detyruar të marrë kredi financiare, si dhe e ka kërcënuar seriozisht me jetë përmes telefonatave. Po ashtu, sipas aktakuzës, i dyshuari ia kishte nxjerrë dhe djegur rrobat e viktimës në oborr, duke ia dërguar pamjet me video, si dhe kishte ndikuar në shkëputjen e kontakteve mes nënës dhe djalit të tyre 12-vjeçar.

Rasti merr përmasa edhe më të rënda pasi Arlinda Zekaj u vra në fund të muajit tetor në Vitomiricë të Pejës, pak kohë pasi kishte denoncuar dhunën në polici. Dorasi i dyshuar i vrasjes është vëllai i të pandehurit, Albert Sylaj, ndërsa të dy vëllezërit ndodhen tashmë nën masën e arrestimit. /Betimi per Drejtësi/

Exit mobile version