Ish-presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka zbuluar detaje lidhur me planet e qarqeve politike dhe të sigurisë në Beograd, të cilat, përmes një afere të mirëorganizuar, kishin synim komprometimin e misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe pengimin e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës.
Sipas një raportimi nga mediumi “Mportal”, Gjukanoviq ka deklaruar se brenda kabinetit të ish-presidentit jugosllav, Vojislav Koshtunica, ka vepruar një grup që përfaqësonte vazhdimësinë e politikave të kohës së Sllobodan Millosheviqit. Objektivi kryesor i këtij rrethi ishte destabilizimi i Kosovës dhe dëmtimi i imazhit të komandës ushtarake të KFOR-it.
Për të realizuar këtë qëllim, Gjukanoviq ka bërë të ditur se ishte përgatitur një operacion specifik që përfshinte trajnimin e dhjetëra vajzave, të cilat do të përdoreshin si mjet komprometimi ndaj zyrtarëve të lartë të NATO-s.
“Janë përgatitur 27 vajza që duhej t’u ofroheshin zyrtarëve të lartë ushtarakë të KFOR-it. Mes tyre ishte edhe S.Ç. Informacioni që kishim atëherë ishte se ajo trajnohej në hapësirat e stadiumit ‘Obiliq’ në Beograd”, ka deklaruar Gjukanoviq.
Pavarësisht planifikimit të detajuar nga strukturat e sigurisë në Beograd, operacioni dështoi për shkak të reagimit të shpejtë të misioneve ndërkombëtare në Kosovë.
Ish-presidenti malazez konfirmoi se informatat e inteligjencës kishin rënë në duart e aleatëve në kohën e duhur, duke shmangur kështu një skandal të përmasave të mëdha.
“Për fat të mirë, KFOR-i dhe UNMIK-u në kohë kanë ardhur në posedim të informacionit dhe e kanë parandaluar këtë aktivitet”, ka përfunduar Gjukanoviq.
