Mesazhi politik i Novak Gjokoviqit për Kosovën në French Open ishte “i pavend” dhe “nuk duhet të përsëritet”, thotë ministrja franceze e Sportit.
Amelie Oudea-Castera tha se duhet të ketë një “parim të neutralitetit për fushën e lojës”.
“Kur dërgoni mesazhe për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, mesazhe që i bashkojnë njerëzit rreth vlerave universale, një sportist është i lirë t’i shprehë ato”, i tha Oudea-Castera transmetuesit France 2.
“Por në këtë rast ishte një mesazh shumë aktivist, që është shumë politik. Nuk duhet të përfshiheni, sidomos në rrethanat aktuale dhe nuk duhet të përsëritet më”.
Oudea-Castera tha se ajo bëri një dallim për mesazhet në mbështetje të Ukrainës përballë pushtimit të Rusisë, duke shtuar se ajo nuk e vendosi Kosovën dhe Ukrainën “në të njëjtin nivel”.
Kjo përfshin mbështetjen e lojtares ukrainase Marta Kostyuk, e cila u fishkëllua nga turma pasi ajo refuzoi të shtrëngonte duart me Aryna Sabalenkan e Bjellorusisë.
Gjokoviç, 36 vjeç, ka mbrojtur mesazhin e tij, të cilin e shkroi menjëherë pas fitores së tij në raundin e parë ndaj Aleksandar Kovaçeviç të martën.
Autoritetet Olimpike të Kosovës kanë kërkuar nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) që të hapë procedura disiplinore kundër Gjokoviqit, duke e akuzuar atë për nxitje të tensioneve politike.
“Novak Gjokovic ka promovuar edhe një herë propagandën e nacionalistëve serbë dhe ka përdorur platformën sportive për ta bërë këtë”, ka thënë Ismet Krasniqi, president i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Federata e Tenisit e Kosovës poashtu ka bërë me dije se veprimet e Gjokoviqit do të “rezultojnë drejtpërdrejt” në rritjen e tensionit midis dy vendeve./UBTNews/