Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se janë ndërmarrë masa ndëshkimore ndaj përgjegjësve për shkatërrimin e rrugës “Don Shtjefën Kurti”.
Sipas të parit të komunës, investitori ka shpërfillur urdhrin paraprak për mbylljen e gropës në sektorët 4 dhe 5, çka ka çuar në shqiptimin e gjobave të majme.
Për këtë shkelje, kompania investuese është ndëshkuar me 30 mijë euro, ndërsa personi përgjegjës ligjor me 3 mijë euro të tjera. Përveç sanksioneve financiare, Rama ka kërkuar masa edhe ndaj stafit teknik që ka mbikëqyrur punimet.
“Deri më sot nuk janë prezantuar vendimet e inxhinierëve mbikëqyrës, prandaj kërkojmë nga Oda e Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, inicimin e procedurave për tërheqjen e licencave të inxhinierëve mbikëqyrës”, ka deklaruar Rama.
Kryetari theksoi se mungesa e raporteve dhe vendimeve nga inxhinierët mbikëqyrës është e papranueshme, duke insistuar që Oda e Inxhinierëve të reagojë menjëherë për të sanksionuar profesionalisht ata që lejuan këtë dëmtim të infrastrukturës publike.

