Një sallon bukurie në Indi është gjobitur me 20 milionë rupe (271 mijë dollarë) për shkak se ia preu flokët gabimisht një modeleje.
Thuhet se gruaja punonte për firmat e produkteve të flokëve për shkak të flokëve të saj të gjata. Por salloni ia preu flokët shkurt, duke i shkaktuar asaj humbje.
Komisioni Kombëtar për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Konsumatorit (NCDRC) tha se ajo “pësoi një humbje të madhe e cila ia ndryshoi plotësisht stilin e jetesës dhe ia shkatërroi ëndrrën për të qenë një top modele”.
“Ajo përjetoi thyerje emocionale dhe trauma për shkak të neglizhencës gjatë prerjes së flokëve, dhe nuk mund të koncentrohej në punën e saj, madje edhe e humbi punën”, thuhet në njoftim.
Në vitin 2018, modelja shkoi në këtë sallon me disa kërkesa rreth stilit të flokëve që donte. Por stilistja ia preu pjesën më të madhe të flokëve.
Kur ajo u ankua në sallon, asaj iu ofrua një trajtim flokësh falas për të kompensuar gabimin. Gruaja i tha gjykatës se trajtimi ishte “i dyshimtë dhe rezultoi në dëmtimin e flokëve të saj”./UBTNews