Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) është gjobitur me një shumë prej 41,250 euro nga Komisioni i Etikës dhe Disiplinës në UEFA për incidentet e shkaktuara nga tifozët shqiptarë gjatë dy ndeshjeve të fundit, Ukrainë – Shqipëri më 7 shtator 2024 dhe Shqipëri – Gjeorgji më 10 shtator 2024.
Vendimet për ndeshjen Shqipëri-Gjeorgji:
Gjobë prej 18,000 eurosh për bllokimin e shkallëve të stadiumit “Air Albania”.
Gjobë prej 4,750 eurosh për hedhjen e sendeve në fushë.
Gjobë prej 12,500 eurosh për fishkëllimin e himnit gjeorgjian nga tifozët shqiptarë.
Vendimet për ndeshjen Ukrainë-Shqipëri:
Gjobë prej 6,000 eurosh për pushtimin e fushës nga tifozët shqiptarë.
UEFA vendosi të mbyllë procedurat disiplinore ndaj FSHF-së lidhur me dyshimet se ndeshja nisi me vonesë për shkak të organizimit të federatës.
Këto masa ndëshkuese vijnë si një pasojë e sjelljeve të papërshtatshme të tifozëve shqiptarë, të cilat kanë nxitur shqetësim në radhët e autoriteteve të futbollit evropian. FSHF pritet të marrë masa për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen dhe për të mbajtur një atmosferë pozitive në ndeshjet e futbollit.
Kjo gjobë është një kujtesë për rëndësinë e sjelljes sportive dhe respektit ndaj rivalëve dhe rregullave të organizatës./UBTNews/