Trajneri i Paris Saint-Germain, Mauricio Pochettino, ka thënë se Kylian Mbappe është i hapur për ta vazhduar marrëveshjen me klubit, por nuk e ka hedhur poshtë as mundësinë e largimit të tij nga Parisi, duke thënë se gjithçka është e mundur.
Mbappes i mbaron marrëveshja me PSG-në në verë dhe ai do të jetë lojtar i lirë pas përfundimit të këtij sezoni nëse nuk nënshkruan kontratë të re me klubin.
Përfaqësuesi i Francës e pranoi javë më parë se e kishte kërkuar largimin nga Parisi verën që shkoi, por klubi nuk kishte pranuar ta shiste duke i hedhur poshtë ofertat e majmje të Real Madridit.
Së fundmi, drejtori sportiv Leonardo dhe presidenti i PSG-së Nasser Al-Khelaifi thanë se Mbappe do të qëndrojë dhe se bisedimet për marrëveshjen e re po shkojnë mirë.
Por trajneri Pochettino e lë të hapur edhe mundësinë e largimit të tij.
“Mbappe është mirë. Ai është djalosh i qetë me shumë personalitet dhe tejet i shoqërueshëm. Kylian do ta marrë vendimin që i duhet ta marrë dhe klubi do të bëjë gjithçka që është e mundur për ta mbajtur”, tha Pochettino për Radio MARCA.
“Situata është e hapur dhe në të ardhmen mund të ndodhë gjithçka. PSG-ja si klubi sigurisht që i ka aftësitë dhe ambiciet për ta bindur atë dhe t’i ofrojë atij gjëra në mënyrë që ai të qëndrojë dhe të jetë i lumtur”, shtoi ai.