Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë kanë përfunduar përgatitjet e fundit për “Marshin për Liri”, i cili nis sot në orën 14:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton Ekonomia Online.
Nga platforma “Liria Ka Emër” kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve, ndërsa marshi zhvillohet para shpalljes së aktgjykimit të Gjykatës Speciale, të paralajmëruar për 16 shtator.
Ismail Tasholli nga kjo platformë ka thënë se bazuar në interesimin dhe gatishmërinë e qytetarëve, pritet që marshi të jetë masiv.
“Marshi me siguri do të jetë shumë masiv, edhe në bazë të asaj se çka kemi parë në terren edhe entuziazmit edhe gatishmërisë së njerëzve, në thirrjen tonë qytetare që të marshojnë për liri nën moton ‘Kosova po pret’”, tha ai.
Tasholli ka bërë të ditur se në sheshin “Skënderbeu” janë duke u përfunduar detajet e fundit të përgatitjeve, ndërsa bina tashmë është gati për nisjen e aktivitetit.
“Tashmë e shihni, bina është gati, në përfundim janë do të thotë detajet e fundit, që e rrumbullakësojnë edhe nisjen e këtij marshi qytetar, që ka për qëllim të përçojë një mesazh shumë të rëndësishëm, që Kosova me të vërtetë po pret, po i pret çlirimtarët në shtëpinë e tyre”, tha Tasholli.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të nisen më herët drejt Prishtinës, në mënyrë që në orën 14:00 të përcillet mesazhi i organizatorëve.
“Po, i ftoj le të vijnë sa më herët, Prishtina e ka zemrën e madhe, po i uron mirëseardhje të gjithë qytetarëve të saj, edhe le të nisen sa më herët sepse është shumë e rëndësishme që sot të përçojmë një mesazh bashkë në ora 14:00, që Kosova po pret. Jemi duke i pritur të gjithë”, tha ai.

