UBT News

Gjinushi: Shqipja gjuhë e mrekullueshme, rezultat i një procesi 6-mijëvjeçar

Në ceremoninë solemne të hapjes së Kuvendit Kombëtar për Gjuhën Shqipe, me temën “Sfidat e Gjuhës Shqipe në Shekullin XXI”, akademik Skënder Gjinushi, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, mbajti një fjalë përshëndetëse të ngarkuar me emocion dhe përkushtim ndaj vlerës dhe rëndësisë së gjuhës shqipe.

Gjinushi shprehu mbështetje të fuqishme për nismën e Qeverisë për shpalljen e vitit 2024 si Vit të Gjuhës Shqipe, një ngjarje që përfshin të gjithë shqiptarët, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, deri tek Arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e Malit të Zi dhe diasporës, duke e bërë këtë vit një kalendar mbarëkombëtar të rëndësishëm për identitetin dhe ruajtjen e gjuhës.

Në fjalën e tij, Gjinushi vuri në dukje se pa njësimin e alfabetit dhe latinizimin e shkrimit, të realizuar në Kongresin e Manastirit, nuk mund të kuptohet as historia dhe as zhvillimi i gjuhës shqipe, e cila është një prej shtyllave më të forta të identitetit kombëtar shqiptar. “Kombi shqiptar u formua dhe shteti shqiptar u pavarësua përmes kontributit të shoqërive atdhetare, klubeve kulturore e lëvizjeve mendore, vendimeve të marra në kongrese e evente të tilla si ai i Manastirit,” theksoi Gjinushi, duke nënvizuar rolin kyç të këtyre momenteve të rëndësishme historike në formimin e kombit dhe shtetit shqiptar.

Për akademikun, shqipja është një gjuhë e mrekullueshme, e lindur dhe e formuar përmes një procesi 6-mijëvjeçar. Duke iu referuar studimeve të fundit, të bazuara në ADN-në e popullatave dhe gjetjeve arkeologjike, Gjinushi theksoi se këto dëshmi vërtetojnë lashtësinë dhe vijimësinë e popullimit të rajonit, që ka nisur 8 mijë vjet më parë. Ai theksoi se këto studime nuk janë vetëm dëshmi të historisë së shqiptarëve, por ofrojnë një vend të denjë për gjuhën shqipe dhe popullin shqiptar në skenën botërore. “Ky proces, që ka filluar nga periudha parailire dhe parapellazge, ka krijuar një gjuhë të mrekullueshme, të cilën autorë të mëdhenj si Ismail Kadare e kanë përdorur për të krijuar kryevepra botërore. Kjo është dëshmi e pasurisë dhe fuqisë së gjuhës shqipe,” u shpreh Gjinushi.

Në fund, Gjinushi apeloi që të gjithë shqiptarët të mbrojnë gjuhën shqipe si një pasuri të paçmuar kombëtare, duke theksuar se kjo mbrojtje duhet të fillojë nga vetvetja, nga mospërdorimi dhe keqpërdorimi i saj. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të gjuhës standarde, si një tregues i një stadi të avancuar të zhvillimit të kulturës dhe identitetit të një kombi./UBTNews/

Exit mobile version