Berat Gjimshiti iu bashkua Atalantës kur ata luftonin për të shmangur rënien dhe tani është një fitues i Ligës së Evropës. “La Dea” ishte në statusin e “skuadrës së dobët” që shkoi në finalen e Ligës së Evropës në Dublin të mërkurën në mbrëmje, pasi Bayer Leverkusen ishte i pamposhtur në 51 ndeshje dhe fitoi titullin e kampionit në Bundesligë.
Megjithatë, ishte një paraqitje totalisht dominuese, pasi het-triku i Ademola Lookman vulosi një fitore 3-0. “Është e vështirë të gjesh fjalët në këtë moment, vështirë se mund ta kuptoj se çfarë bëmë”, tha Gjimshiti për “ pas ndeshjes.
“Një sukses kaq i madh, veçanërisht pasi humbëm finalen e Kupës së Italisë një javë më parë dhe disponimi ynë nuk ishte i mirë, pasi nuk luajtëm mirë. Megjithatë, për momentin nuk më intereson që i humbëm ato tre finalet e tjera, sepse fituam këtë!”, shtoi reprezentuesi shqiptar.
Edhe pse ai ishte kapiten atë natë, Gjimshiti ia dorëzoi trofeun Marten de Roonit dhe Rafael Toloit për ta ngritur.
“Kam qenë këtu për tetë vjet dhe kam qenë kapiten sonte, por Toloi dhe De Roon janë përpara meje. Isha krenar të dija se do të mbaja shiritin sot, por të gjithë japin gjithçka. Ne luajtëm kaq mirë sonte dhe e merituam plotësisht, nuk kishte asnjë dyshim këtë mbrëmje. Ndoshta motoja e tifozëve ‘përtej rezultatit’ ishte sepse nuk fituam kurrë! Por ata na mbështetën vazhdimisht, edhe në finalet e humbura, dhe të gjithë e meritojnë këtë sukses”.
Ka qenë një proces i jashtëzakonshëm për Atalantën, e cila është transformuar totalisht nga trajneri Gian Piero Gasperini që nga ardhja e tij në vitin 2016.
“Kur erdha për herë të parë, Atalanta po luante për të shmangur rënien”, përfundoi Gjimshiti.