“Lule e kuqe-lule e bardhë, jam viktimë e klasës së parë”. Kjo është thirrja e gjimnazistëve, të cilët po i dalin në mbrojtje një të miture, e cila ditë më parë u ngacmua seksualisht nga tre nxënës të tjerë në oborrin e shkollës. Me qindra nxënës të shkollave të mesme kanë marshuar në sheshet e kryeqytetit, të njëjtit kanë kërkuar siguri, edukim seksual dhe psikologë në shkolla.
Me parullën “Turmë, jo lojë”, nxënës të gjimnazeve në Prishtinë marshuan në sheshet e kryeqytetit, pas sulmit seksual në një shkollë. Gjimnazistët kërkuan siguri, barazi dhe edukim seksual në institucionet arsimore. “Mos hesht trego”, “Mos ma prish fëmijërinë”, janë thirrjet kryesore. E kjo protestë u organizua pas raportimit të ngacmimit seksual të një vajze të klasës së parë.
Lendina Balaj, nxënëse e shkollës “Xhevdet Doda”, u shpreh se është koha që të ngritet zëri ndaj këtyre rasteve.
“Është koha me rrit zërin që gjithë së bashku me një fjalë me tregua që nuk është lojë, është traumë”, tha ajo.
E nxënësi Ene Aliu nga gjimnazi “Sami Frashëri”, ka kërkuar që të përfshihet në programin mësimor, edukimi seksual dhe shtimi i numri të psikologëve. Ai u shpreh i irrituar me videon që është parë ditëve të fundit.
“Këto dy kërkesa janë: kërkesa e parë është për futjen e edukimit seksual në kurrikulën e shkollave tona. Të gjithë e dimë se sa shumë kjo lëndë është e nevojshme, dhe se sa shumë është e injoruar prej sistemit dhe prej institucioneve tona në Kosovë. Kërkesa jonë e dytë është për psikologët në shkolla. Shumica e shkollave tona kanë psikologë, por edhe pse kanë psikologë ato realisht nuk kanë psikologë sepse psikologu nuk është kurrë aty”, është shprehur ai.
Rreshtit të parë të protestuesve i është bashkuar edhe ish-presidentja, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit më pas ka shkruar edhe në rrjetin social “Facebook”.
“Të rriten djemtë dhe vajza në të njëjtën mënyrë e të barabartë brenda mureve të shtëpisë, të mos lejojmë djemtë t’i nënçmojnë motrat e tyre apo këdo tjetër, por t’iu mësojmë dashurinë dhe respektin! Dallimet mes fëmijëve në familje po shpërfaqen brenda hapësirave shkollore dhe kështu duke cenuar sigurinë për të gjithë tjerët. Andaj, ata duhen të trajtohen të barabartë në shtëpi dhe në shkollë”, ka shkruar ajo.
Ditë më parë është raportuar për një ngacmim seksual, ku pretendohet se në oborrin e një shkolle në kryeqytet ka ndodhur një rast i sulmit seksual në mes të nxënësve. Në oborrin e kësaj shkolle disa nxënës të klasës së shtatë ngacmojnë seksualisht një vajzë të po kësaj shkolle të klasës së parë.