Në Gjilan është mbajtur edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars”, një ngjarje që mblodhi artistë të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe e ktheu qytetin në një qendër të rëndësishme të shkëmbimit kulturor e artistik.
Festivali bëri bashkë rreth 100 konkurrentë nga 15 shtete, si dhe mbi 200 mysafirë ndërkombëtarë, të cilët morën pjesë në aktivitetet artistike gjatë disa ditëve.
Nata finale u karakterizua nga performanca të nivelit të lartë, ndërsa u shpallën edhe fituesit kryesorë të këtij edicioni. Çmimet kryesore u ndanë për pjesëmarrës nga Rumania, Malta dhe Italia.
Organizatorët vlerësuan se festivali vazhdon të forcojë bashkëpunimin kulturor ndërkombëtar dhe të promovojë talentet e reja muzikore, duke e vendosur Kosovën në hartën e ngjarjeve të rëndësishme artistike.
Edicioni i sivjetmë i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës “Rising Stars” u mbështet nga Ministria e Kulturës./A.K/
