UBT News

Gjilani kalon pengesën e parë në garat evropiane

Nënkampioni i Kosovës, Gjilani ka debutuar me sukses në garat evropiane, pasi sonte në San Marino e ka mposhtur skuadrën Tre Penne, me rezultat 3:1, në kuadër të rrethit parakualifikues të Europa League-s. 

Gjilani e mbizotëroi plotësisht lojën, duke krijuar raste të shumta shënimi, por u gjend befasisht në disavantazh në minutën e 16-të kur Nicola Gai i kaloi vendasit në epërsi. Megjithatë, ky gol nuk i demoralizoi djemtë e Gentjan Mezanit, të cilët vazhduan me lojë të mençur dhe në minutën e 24-t barazuan me golin e shënuar nga Darko Nikac, pas asistimit të Prognit.

Për Gjilanin u lehtësuan gjërat në minutën e 43-të, kur Sorretino u përjashtua pas dy kartonëve të verdhë. Dominimi i Gjilanit vazhdoi edhe në pjesën e dytë, ku si rrjedhojë shënuan edhe dy gola për ta siguruar kualifikimin.

Fillimisht Fiton Hajdari shënoi një supergol në minutën e 64-t, derisa katër minuta më vonë biletën për në rrethin e parë kualifikues e vulosi Ardit Hila, me golin e tij për rezultatin përfundimtar 3:1. Kësisoj, Gjilani arrin fitoren e parë evropiane dhe e siguron pjesëmarrjen në rrethin e parë kualifikues ku do të ballafaqohet me skuadrën e njohur qipriote, Apoel Nikosia në stadiumin “Fadil Vokrri”

Exit mobile version