Një trup i pajetë është gjetur pasditën e së mërkurës në liqenin e fshatit Livoç i Epërm në Gjilan, ka njoftuar Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh.
Sipas policisë, rasti është raportuar nga një qytetar rreth orës 14:12, i cili ka vërejtur trupin në ujë dhe ka njoftuar menjëherë organet e rendit. Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore së bashku me ekipet e zjarrfikësve, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga liqeni. Ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Edhe pse viktima nuk kishte dokumente identifikimi me vete, nga hetimet fillestare të policisë dyshohet se bëhet fjalë për një burrë, i cili ishte raportuar si person i zhdukur dy ditë më parë.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për t’ju nënshtruar obduksionit, ndërsa rasti është cilësuar si “Hetim i vdekjes” dhe po vazhdon të hetohet nga njësitë përkatëse. /E.A/
