UBT News

Gjiganti anglez po përgatitë ofertë për Fabian Ruiz

Manchester United ka identifikuar Fabián Ruiz si objektivin kryesor për përforcimin e mesfushës në këtë afat kalimtar. “Djajtë e Kuq” janë duke përgatitur një ofertë prej 50 milionë eurosh për mesfushorin spanjoll të PSG-së.

29-vjeçari ka pasur një sezon të shkëlqyer nën drejtimin e Luis Enrique, duke ndihmuar klubin parisien drejt titullit në Ligue 1 dhe sukseseve në Evropë.

Ai regjistroi gjashtë gola e njëmbëdhjetë asistime në të gjitha garat. Ruiz është vlerësuar për aftësinë për të ndërtuar lojën, vizionin e prezencën në të dyja fazat, mbrojtje dhe sulm. Profili e ka bërë atë ideal për partneritet me talentin premtues Kobbie Mainoo në qendër të mesfushës së United.

Në “Old Trafford”, shihet si lojtar i qetë, por vendimtar, që mund t’i sjellë ekuilibër e klas skuadrës në ndërtimin e fazës ofensive e kontrollin e ritmit të lojës.

PSG nuk pritet të heqë dorë nga një lojtar që ka fituar peshë në planet e klubit. Po ashtu, vetë Fabian do ta shqyrtojë me kujdes çdo ofertë, duke vlerësuar statusin që ka aktualisht në një nga projektet më serioze në futbollin evropian. Oferta e United është në tryezë, por gjithçka varet nga kërkesat financiare të PSG-së dhe gatishmëria e lojtarit për të provuar një aventurë të re në Ligën Premier.

Nëse marrëveshja finalizohet, Ruiz do të ishte një nga transferimet më të rëndësishme të verës për Manchester United, një hap i rëndësishëm për klubin që kërkon të rikthehet në majat e futbollit anglez dhe evropian.

Exit mobile version