Mbrëmjen e djeshme, Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” çeli ekspozitën e re “Vëllezërit Kodheli dhe Kolë Idromeno – Rilindja në Artin Pamor Shqiptar”, e kuruar nga drejtori i muzeut, Luçjan Bedeni. Ekspozita sjell në pah imazhe të rralla dhe të papublikuara më parë, që ilustrojnë ndikimin e fuqishëm të artistëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare, përfshirë Arsen Idromeno dhe Pietro Marubbi.
Ceremonia e hapjes u nderua me praninë e nënkryetarëve të bashkisë së Shkodrës, Teuta Shala-Qyteza dhe Rudi Beka, si dhe të drejtorit të Institutit të Antropologjisë pranë Akademisë së Shkencave, Olsi Lelaj. Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 10 nëntor në ambientet e Muzeut “Marubi”.
Drejtori dhe kuratori i ekspozitës, Luçjan Bedeni, ka kryer kërkime të thella për Marubët dhe Idromenon. Në një intervistë të mëparshme, Bedeni theksoi se negativët e Idromenos në fototekën e Institutit të Antropologjisë janë kompletuar me informacione të reja, duke ndihmuar në pasurimin e koleksionit të Marubëve.
Kolë Idromeno, një nga artistët më të shquar të Rilindjes Kombëtare, është njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në artin shqiptar, duke krijuar vepra të njohura si “Motra Tone”, që konsiderohet Xhokonda shqiptare./UBTNews/