UBT News

Gjest i veçantë nga presidenti i Comos, vendet e drejtuesve u dhurohen tifozëve të moshuar

BOLOGNA, ITALY - FEBRUARY 01: Mirwan Suwarso president of Como during the Serie A match between Bologna and Como at Stadio Renato Dall'Ara on February 01, 2025 in Bologna, Italy. (Photo by Alessandro Sabattini/Getty Images)

Presidenti i Comos, Mirwan Suwarso, dhe disa drejtues të klubit kanë vendosur të heqin dorë nga vendet e tyre në stadium për debutimin historik të skuadrës në Ligën e Kampionëve, në mënyrë që ato t’u dhurohen tifozëve më të moshuar.

Como do ta presë Leipzigun të enjten, në ndeshjen e parë të klubit në Champions League në historinë 119-vjeçare.

Interesimi për këtë përballje historike ka qenë jashtëzakonisht i madh, me kërkesën për bileta që ka tejkaluar dukshëm kapacitetin e stadiumit “Giuseppe Sinigaglia”.

Stadiumi ka kapacitet prej rreth 12 mijë ulësesh, por për këtë ndeshje numri është reduktuar për rreth 1 mijë vende për shkak të kërkesave të UEFA-s sa i përket transmetimit dhe operacioneve organizative.

Pasi të gjitha biletat u shitën, presidenti indonezian i Comos, Mirwan Suwarso, njoftoi për një gjest të veçantë. Ai dhe disa drejtues të klubit do t’i lirojnë vendet e tyre për tifozët që e kanë ndjekur Comon për dekada.

“Me kapacitetin e reduktuar dhe numrin e kufizuar të biletave në dispozicion, për fat të keq nuk mund t’i akomodojmë të gjithë ata që dëshironin të ishin në stadium. Megjithatë, unë dhe disa drejtues të klubit kemi vendosur të heqim dorë nga vendet tona për këtë ndeshje”, shkroi Suwarso.

Ai bëri të ditur se këto vende do t’u ndahen tifozëve të lindur në vitin 1950 ose më herët, të cilët e kanë ndjekur klubin në çdo kategori dhe gjatë çdo epoke të tij.

“Duam që këto vende t’u ndahen tifozëve që kanë pritur më gjatë. Do të jemi të nderuar të heqim dorë nga vendi ynë për ta”, shtoi presidenti i Comos.

Një gjest që tregon se për Comon debutimi në Champions League nuk është vetëm një ndeshje historike, por edhe një moment për të nderuar tifozët që kanë qëndruar besnikë ndaj klubit ndër vite.

Exit mobile version