UBT News

Gjermania shpallet kampione e EuroBasket 2025

Gjermania është përsëri skuadra më e fortë në Evropë pas 32 vitesh, duke fituar titullin e dytë evropian. Të dielën në Riga, skuadra gjermane mposhti Turqinë 88-83 në finalen e EuroBasket 2025, pas një ndeshjeje të mbushur me emocione dhe përmbysje.

Turqia udhëhoqi për pjesën më të madhe të takimit, por në momentet vendimtare u shfaq kapiteni Dennis Schröder. Ylli i Sacramento Kings në NBA shënoi gjashtë pikët e fundit të Gjermanisë dhe e mbylli ndeshjen me 16 pikë e 12 asistime, duke u shpallur edhe Lojtari më i Vlefshëm (MVP) i turneut.

Isaac Bonga, ish-lojtar i Los Angeles Lakers, ishte më i miri në sulm për gjermanët me 20 pikë. “E kupton sa shumë punon për këtë. Si fëmijë, ëndërron të shënosh në një ndeshje të tillë,” tha ai për RTL, duke mos fshehur emocionet.

Presidenti i Federatës Gjermane të Basketbollit, Ingo Weiss, e cilësoi suksesin si të jashtëzakonshëm: “Djemtë e donin vërtet dhe luftuan deri në fund. Ky ekip është yll.

Ky është trofeu i dytë i EuroBasket-it për Gjermaninë, pas triumfit të parë në vitin 1993. Skuadra kishte arritur në finale edhe në vitin 2005, por u mposht atëherë.

Finalen e ndoqi nga afër presidenti Frank-Walter Steinmeier, ndërsa kancelari Friedrich Merz e përgëzoi ekipin për “performancën sensacionale” me një postim në X. “Jemi krenarë për ju. Ju jeni frymëzim për brezin e ri të sportistëve,” shkroi ai./D.B/UBTNews/DW

Exit mobile version