Gjermania ka konfirmuar edhe një herë mbështetjen e saj të palëkundur për transformimin dhe modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës përmes një donacioni të ri prej 3 milionë eurosh.
Ministri i Mbrojtjës Ejup Maqedonci, ka njoftuar se ky donacion vjen në kuadër të programit gjerman “Enable and Enhance”, i cili do të fokusohet në pesë projekte jetike, me synim kryesor fuqizimin e flotës së transportit ushtarak dhe ngritjen e kapaciteteve për mbështetje mjekësore brenda forcës.
Gjatë ceremonisë së zyrtarizimit të kësaj mbështetjeje, Ministri Maqedonci, priti ambasadorin gjerman në Kosovë, Rainer Rudolph, me të cilin diskutoi mbi ecurinë e reformave në mbrojtje dhe nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh.
Ministri Maqedonci e vlerësoi lart kontributin e qeverisë gjermane, duke theksuar se ky investim ndikon drejtpërdrejt në gatishmërinë operacionale të FSK-së.
“Republika Federale e Gjermanisë po vazhdon të mbështesë zhvillimin dhe rritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës,” u shpreh ministri Maqedonci, duke shtuar se ky donacion është i dedikuar për projekte konkrete që përmbushin standardet më të larta ushtarake.
Sipas krerëve të mbrojtjes, bashkëpunimi mes dy vendeve pritet të thellohet edhe më tej në të ardhmen, duke u fokusuar në trajnime të përbashkëta dhe asistencë teknike për të siguruar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët ndërkombëtarë.
