Gjermania ka më shumë njerëz nën moshën 60 vjeçare në njësitë e kujdesit intensiv sesa ata mbi 60 vjeç, gjë që ndoshta është rezultat i faktit se vaksinimi kundër COVID-19 është më i ulët në mesin e popullatës më të re sesa në mesin e të moshuarve.
Nga mesi i muajit gusht deri në fillim të shtatorit, më shumë pacientë midis moshës 18 dhe 59 vjeç u trajtuan në kujdes intensiv sesa mbi 60 vjeç, sipas një raporti të Institutit Robert Koch.
Në Gjermani, 83 për qind e njerëzve mbi moshën 60 vjeçare janë plotësisht të vaksinuar, ndërsa 67 për qind e atyre të moshës 18 deri në 59 vjeç morën dy doza të vaksinës.
Më shumë se 1,400 pacientë me COVID-19 janë në kujdes intensiv, një rritje prej 22 për qind në krahasim me javën e kaluar, thuhet në raport.
Shumica e pacientëve në spitalet me Covid-19 janë midis moshës 35 dhe 59 vjeç, por rreziku i vdekjes është akoma më i lartë tek të moshuarit, shtohet raporti.
Shkalla e vaksinimit në Gjermani në të gjitha grupmoshat është rritur pak nga java e kaluar, nga 61 në 62 për qind.
Dallimi në vaksinimin e grupmoshave të ndryshme rrjedh gjithashtu nga fakti se njerëzit mbi moshën 12 vjeç morën një rekomandim për vaksinim vetëm në mes të gushtit dhe tani rreth 24 për qind e atyre të moshës 12 deri në 17 vjeç janë plotësisht të vaksinuar.