Një port i lashtë që daton që nga viti 800 para Krishtit, një xhami që ishte shtëpia e dorëshkrimeve të rralla dhe një nga manastiret më të vjetra të krishtera në botë janë vetëm disa nga të paktën 195 vendet e trashëgimisë kulturore që janë shkatërruar ose dëmtuar që nga fillimi i luftës së Izraelit në Gaza më 7 tetor. Kështu njoftoi një organizatë joqeveritare që dokumenton dëmet e luftës në vendet kulturore.
Një prej krimeve të shumta që Afrika e Jugut i përmendi në padinë e saj ndaj Izraelit është edhe zhdukja e trashëgimisë kulturore të një populli. Aty mes tjerash thuhet se “Izraeli ka dëmtuar dhe shkatërruar qendra të shumta të mësimit dhe kulturës palestineze”, në mesin e tyre edhe bibliotekat, vendet fetare dhe vendet me rëndësi të lashtë historike.
Gaza ka qenë e banueshme që të paktën nga shekulli i 15-të para Krishtit, thonë historianët.
Me një pozitë strategjike në brigjet lindore të Mesdheut, Gaza ka qenë qendra kryesore në rrugët tregtare nga Euroazia në Afrikë. Portet e saj e bënë atë një qendër rajonale për tregti dhe kulturë. Të paktën që nga viti 1300 para Krishtit, Via Maris – një rrugë që të çonte nga Heliopolis në Egjiptin e lashtë, duke kaluar përgjatë vijës bregdetare perëndimore të Gazës dhe më pas duke kaluar në tokat siriane – ishte rruga kryesore që udhëtarët merrnin në udhëtimet e tyre për në Damask.
“Krimi i shënjestrimit dhe shkatërrimit të vendeve arkeologjike duhet të nxisë botën dhe UNESCO-n që të reagojë për të ruajtur këtë trashëgimi të madhe civilizuese dhe kulturore”, njoftoi Ministria e Turizmit dhe Antikiteteve të Gazës pasi Xhamia e Madhe Omari në Gaza u shkatërrua si pasojë e një sulmi ajror izraelit më 8 dhjetor./UBTNews/