Nëse talibanët fitojnë luftën e tyre kundër forcave qeveritare, atëherë kjo do të ketë pasoja “shkatërruese” për sigurinë globale, ka thënë një gjeneral afgan, raporton BBC.
Gjenerali, Sami Sadat, i cili po udhëheq betejën kundër talibanëve në provincën jugore të Helmandit, tha se është i sigurt se militantët nuk do të marrin nën kontroll kryeqytetin e kësaj province, ku po zhvillohen luftime të ashpra.
Talibanët kanë pushtuar disa qarqe në qendër të Lashkar Gah.
Ai i tha BBC-së se megjithatë talibanët po fuqizohen dhe përkrahen nga luftëtarët e grupeve të tjera islamike dhe paralajmëroi se një fitore e tyre përbën një kërcënim që kalon kufijtë e Afganistanit.
“Kjo do të rrisë shpresën e grupeve të vogla ekstremiste që të mobilizohen në qytetet e Evropës dhe Amerikës, duke shkaktuar një efekt shkatërrues në sigurinë globale”, tha ai.
“Kjo nuk është një luftë e Afganistanit, kjo është një luftë midis lirisë dhe totalitarizmit”, shtoi ai.
Sulmi i talibanëve në provincën Helmand është pjesë e një ofensive të madhe në të gjithë Afganistanin.
Në muajt e fundit, militantët talibanë kanë vënë nën kontroll pjesë të konsiderueshme të Afganistanit, pasi forcat e huaja janë tërhequr pothuajse tërësisht pas 20 vjetësh të operacioneve ushtarake në këtë vend.
Helmandi ishte qendra e fushatës ushtarake amerikane dhe britanike dhe një fitore e talibanëve do të ishin një goditje për Qeverinë afgane.
Nëse Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand, do të vendosej nën kontrollin e plotë të talibanëve, atëherë ky do të ishte kryeqyteti i parë i një province i fituar nga talibanët që nga viti 2016.
Përpjekjet e militantëve për të marrë nën kontroll edhe Kandaharin, qytetin e dytë më të madh të Afganistanit, kanë vazhduar.
Marrja nën kontroll e Kandaharit do të ishte një fitore e madhe për talibanët, pasi kështu do të fitonin kontroll në jugun e vendit.
Luftime mes forcave qeveritare dhe talibanëve po zhvillohen edhe në rajone tjera.
Derisa forcat qeveritare po përpiqen të frenojnë talibanët, presidenti afgan, Ashraf Ghani fajësoi për pasigurinë në vendin e tij tërheqjen e papritur të trupave amerikane.
“Arsyeja për situatën tonë aktuale është se vendimi u mor papritur”, tha ai në parlament, duke shtuar se e kishte paralajmëruar Uashingtonin se tërheqja do të kishte “pasoja”.
Edhe pse pothuajse të gjitha forcat e saj ushtarake janë larguar nga Afganistani, SHBA-ja ka vazhduar ofensivën e saj ajrore në mbështetje të trupave qeveritare.
SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë akuzuar talibanët për kryerjen e krimeve të mundshme të luftës duke “masakruar civilët” në një qytet pranë kufirit me Pakistanin.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kishte parë raporte për krimet e talibanëve. Talibanët i kanë hedhur poshtë akuzat.
Në fillim të vitit 2020, Shtetet e Bashkuara ranë dakord me talibanët për të tërhequr trupat e tyre në këmbim të garancive talibane se nuk do të lejojnë përdorimin e territorit afgan për terrorizëm.
Deri në fund të muajit gusht pritet tërheqja e plotë e trupave të huaja nga ky shtet.
Bisedimet e paqes mes talibanëve dhe Qeverisë afgane janë bllokuar.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit./REL