Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në një takim zyrtar Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, Gjeneral Major Stephen E. Osborn.
Gjatë takimit, Gjeneral Jashari e falënderoi mysafirin për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet dy forcave, duke vënë në pah rëndësinë e madhe të këtij partneriteti strategjik në zhvillimin profesional dhe operacional të FSK-së.
Palët diskutuan për arritjet e deritanishme, projektet e përbashkëta dhe mundësitë e avancimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh. Po ashtu, gjatë bashkëbisedimit u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të afërt me partnerët ndërkombëtarë.
Në kuadër të kësaj vizite, Gjeneral Major Osborn vizitoi edhe Njësinë e Operacioneve Speciale të FSK-së, ku u njoftua nga afër me kapacitetet operationale, trajnimet dhe aktivitetet e kësaj njësie elitare.
Në përmbyllje të takimit, Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e thellë për Gardën Kombëtare të Ajovës për mbështetjen e pakursyer, duke vlerësuar lart partneritetin e ndërtuar ndër vite në shërbim të forcimit të paqes dhe sigurisë. /E.A/
