Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në një takim lamtumirës komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Özkan Ulutaş, me rastin e përmbylljes së misionit të tij ushtarak në Kosovë.
Gjatë takimit, dy krerët ushtarakë diskutuan për situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet FSK-së dhe KFOR-it. Ata vlerësuan lart nivelin e partneritetit ndërinstitucional, duke theksuar nevojën për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe operacional përmes angazhimeve të përbashkëta dhe shkëmbimit të përvojave.
Gjenerallejtënant Jashari shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend, duke riafirmuar përkushtimin e FSK-së për forcimin e mëtejshëm të raporteve dypalëshe.
Në përmbyllje të takimit, komandanti i FSK-së i uroi gjeneralit Ulutaş shëndet dhe suksese në marrjen e detyrave dhe përgjegjësive të reja ushtarake./E.A/
