UBT News

Gjeneral Bashkim Jashari në “SAHA Expo 2026”: FSK drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve ushtarake

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron për një vizitë zyrtare në Stamboll, ku së bashku me një delegacion të lartë të FSK-së po merr pjesë në panairin prestigjioz të industrisë së mbrojtjes, “SAHA Expo 2026”.

Pas ceremonisë hapëse, Gjeneral Jashari zhvilloi takime kyçe me drejtuesit e lartë të Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Turqisë. Gjatë këtyre diskutimeve, ai shpalosi objektivat strategjikë për zhvillimin e mëtutjeshëm të FSK-së, duke u fokusuar në koordinimin e planeve dypalëshe për trajnime, stërvitje të përbashkëta dhe furnizimin me pajisje moderne ushtarake.

Pjesëmarrja në këtë panair, që konsiderohet si një nga platformat më të rëndësishme teknologjike në botë, i ka mundësuar delegacionit të FSK-së të shohë nga afër inovacionet e fundit në fushën e mbrojtjes.

Gjeneral Jashari dhe ekipi i tij zhvilluan takime me prodhues të ndryshëm ndërkombëtarë, me synim konkret forcimin e kapaciteteve operacionale dhe modernizimin e ushtrisë në përputhje me misionin e saj kushtetues.

Ky angazhim në SAHA EXPO 2026 rikonfirmon përkushtimin e FSK-së për të ndërtuar një forcë moderne dhe të ndërveprueshme me partnerët, e gatshme për t’u ballafaquar me sfidat bashkëkohore të sigurisë globale.

 

Exit mobile version