Një burrë është gjetur i vdekur sot pas mesditës në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se rasti është raportuar rreth orës 14:30.
Pas marrjes së informatës, ekipet e urgjencës dhe policia kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.
“Rreth orës 14:30 kemi pranuar informatën se një person pa shenja jete gjendet në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Vdekjen e viktimës (mashkull) e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”, ka deklaruar Pllana.
Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka nisur menjëherë hetimet dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të ndriçuar dhe sqaruar rrethanat e këtij rasti. Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë detaje shtesë rreth identitetit të viktimës apo shkaqeve të vdekjes.
