Është gjetur 13-vjeçari me inicialet I.Q., i cili ishte raportuar si person i zhdukur që nga data 1 nëntor, pas largimit nga një strehimore në fshatin Dardani të Ferizajt ku ndodhej nën përkujdesjen e Qendrës për Punë Sociale.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Kosovës, gjetja e të miturit u bë e mundur pas angazhimit të hetuesve rajonalë në bashkëpunim me Qendrat për Punë Sociale në Ferizaj dhe Deçan. Në orët e para të mëngjesit të sotëm (5 nëntor), rreth orës 00:15, disa qytetarë e kanë vërejtur të miturin pranë një qendre tregtare në Ferizaj dhe e kanë shoqëruar menjëhitë për në stacionin policor.
Pas intervistimit nga hetuesit dhe përfaqësuesit e QPS-së, i mituri është dërguar për strehim të përkohshëm në një ambient të sigurt, deri në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare nga institucionet kompetente. Policia ka bërë të ditur se po vazhdon trajtimin e rastit sipas procedurave ligjore në fuqi. /E.A/
