Sektori i Hetimeve për Persona të Zhdukur Gjatë Luftës, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), ka kryer një proces zhvarrosjeje në Mitrovicën e Veriut, pas miratimit të urdhëresës përkatëse nga gjykata.
Gjatë gërmimeve në terren janë gjetur disa mbetje eshtërore njerëzore, të cilat dyshohet se i përkasin periudhës së viteve 1998–1999.
Policia e Kosovës njofton se mbetjet e gjetura janë tërhequr nga vendngjarja dhe janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme mjekësoro-ligjore dhe identifikim.
