Të shtunën (07.02.2026) u shënuan gjashtë vjet nga shkuarja në amshim e ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, e njohur për publikun si Bilbili i Kosovës.
E lindur në maj të vitit 1933 në Malishevë, Nexhmije Pagarusha e nisi karrierën muzikore në vitin 1948 në Radio Prishtinë, duke u shndërruar në një nga zërat më të veçantë dhe më të dashur të muzikës shqiptare.
Karrierën si këngëtare e përmbylli në vitin 1984. Përveç muzikës, ajo ishte aktive edhe si aktore filmi dhe teatri.
Për kontributin e saj të jashtëzakonshëm artistik, Pagarusha u nderua me çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenca e Shqipërisë, si dhe me titullin “Artiste e Merituar” nga Presidenca e Kosovës.
Nexhmije Pagarusha u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare, duke lënë pas pesë albume dhe 88 këngë, ndër to këngët e pavdekshme “Baresha” dhe “Zambaku i Prizrenit”. Ajo do të kujtohet gjithmonë si një yll i pashuar i muzikës shqiptare dhe një figurë frymëzuese për brezat e rinj të artistëve.
