UBT News

Gjashtë të arrestuar për korrupsion e keqpërdorim detyre

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor dhe Policinë e Kosovës, ka realizuar sot një aksion në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar gjashtë persona (F.S., L.R., N.S., A.I., A.Sh. dhe B.B.), të cilët dyshohen për një sërë veprash penale, përfshirë keqpërdorimin e pozitës zyrtare, marrjen dhe dhënien e ryshfetit, mashtrimin dhe legalizimin e përmbajtjes së rreme.

Gjatë operacionit, organet e rendit kanë sekuestruar prova materiale të rëndësishme, ndër të cilat dy vetura në vlerë rreth 80,000 euro, një orë të markës “Rolex” me vlerë deri në 10,000 euro, pesë telefona celularë dhe dokumentacione të ndryshme.

Të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa Prokurori i Shtetit pritet të kërkojë caktimin e masave të sigurisë brenda afatit ligjor.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Exit mobile version