Policia e Kosovës njofton së brenda 24 orëve të fundit janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje.
Rastet janë regjistruar në Prishtinë, Podujevë, Shtime, Pejë, Klinë dhe në Malishevë.
Në Prishtinë është arrestuar një burrë, nën dyshimin se ka kanosur një grua.
Pas intervistimit të palëve dhe me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Rasti ka ndodhur më 9 shkurt në orën 12:00.
Një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Podujevë, më 10 shkurt ne orën 18:00, ku një burrë dyshohet se pas disa mosmarrëveshjeve ka kanosur një grua.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Ndërkaq, në Shtime është raportuar se pas një mosmarrëveshjeje, një grua është kanosur nga dy burra.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Sipas Raportit 24 orësh të Policisë Në Pejë, më 10 shkurt ne orën 01:00, janë arrestuar një grua dhe një burrë nën dyshimin se kanë ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje tjetër.
Pas konsultimit me prokurorin, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Poashtu, në Klinë është raportuar se një burrë, pas një mosmarrëveshjeje verbale, ka ushtruar dhunë fizike ndaj një burri tjetër.
Palët janë shoqëruar në stacion policor dhe, pas intervistimit, janë liruar në procedurë të rregullt. Në Malishevë, më 5 shkurt, është raportuar se një burrë ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje.
I dyshuari ndodhet në kërkim policor dhe rasti është duke u hetuar.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të tillë në mënyrë që të parandalohet përshkallëzimi i dhunës dhe të mbrohen viktimat. D.L
