UBT News

Gjashtë raste të dhunës në familje brenda një dite në Kosovë

Gjatë ditës së djeshme në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme, të cilat tashmë janë duke u trajtuar nga Policia dhe Prokuroria.

Rastet kanë ndodhur në Prishtinë, Gjakovë, Lipjan, Obiliq dhe Graçanicë.

Në Graçanicë, një person është arrestuar pasi dyshohet se nën ndikimin e alkoolit ka shqetësuar nënën e tij dhe e ka larguar atë nga shtëpia. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar dhe rasti po vazhdon në procedurë të rregullt.

Në Lipjan, është raportuar një rast ku vjehrra dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nuses së saj. E dyshuara është intervistuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima është dërguar tek familja e saj. Rasti mbetet nën hetime.

Në Obiliq, një burrë është shoqëruar në polici nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.

Në Prishtinë, një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj. Policia ka iniciuar rastin në konsultim me prokurorin dhe është vënë në kërkim të të dyshuarit, i cili ndodhet në arrati.

Në komunën e Gjakovës janë regjistruar dy raste të ndara.

Në rastin e parë, është arrestuar një burrë i cili nën ndikimin e alkoolit ka ofenduar dhe ka kanosur bashkëshorten e tij. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në rastin e dytë, po ashtu në Gjakovë, është arrestuar një grua nën dyshimin se ka ofenduar dhe ka sulmuar fizikisht të dashurin e saj. Pas intervistimit, ajo është liruar në procedurë të rregullt.

Exit mobile version