Policia e Kosovës ka njoftuar për disa raste të dhunës në familje, kërcënimeve dhe ngacmimeve të regjistruara në disa komuna të vendit, ku me vendim të prokurorëve përkatës shumica e të dyshuarve janë dërguar në mbajtje.
Në Prishtinë janë raportuar tri raste të ndara. Në rastin e parë, një person është arrestuar mbasi ka ushtruar në vazhdimësi dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës dhe motrës së tij. Në rastin e dytë, një tjetër i dyshuar është dërguar në mbajtje për dhunë psikike ndaj bashkëshortes. Po ashtu në kryeqytet, është iniciuar një rast në procedurë të rregullt pasi një e mitur ka pësuar dhunë psikike nga prindërit e saj.
Ndërkohë në Graçanicë, policia ka arrestuar një person i cili përmes mesazheve kishte kërcënuar dhe ngacmuar në vazhdimësi ish-bashkëjetuesen e tij. I dyshuari është dërguar në mbajtje nën akuzat për dhunë në familje, kanosje dhe ngacmim.
Në Gjakovë dy vëllezër janë arrestuar dhe janë dërguar në mbajtje pasi u përleshën fizikisht me njëri-tjetrin. Kurse në Leposaviq, një grua ka pësuar lëndime trupore dhe ka marrë tretman mjekësor pasi u sulmua fizikisht nga bashkëshorti dhe vjehrri i saj. Me vendim të prokurorit, bashkëshorti i viktimës është dërguar në mbajtje, ndërsa vjehrri është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/
