Gjatë 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar gjithsej gjashtë raste të dhunës në familje, të cilat kanë ndodhur në tri komuna të vendit: Prishtinë, Gjakovë dhe Lipjan. Tri raste janë evidentuar në kryeqytet, tri të tjera në Gjakovë, si dhe një rast në Lipjan.
Sa i përket rrethanave të ngjarjeve, në kryeqytet janë raportuar tri raste të ndryshme: në dy prej tyre viktimat gra janë sulmuar fizikisht nga të dyshuarit burra, ndërsa në rastin e tretë bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes një gruaje dhe një burri. Të gjithë të dyshuarit në këto ngjarje janë liruar në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.
Në Lipjan është evidentuar një rast ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj një gruaje. Pas procedurave të intervistimit, i dyshuari po ashtu është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkaq, situatë më e rëndë është shënuar në Gjakovë përmes tri rasteve të ndara. Në rastin e parë, dy burra janë përleshur fizikisht mes vete; njëri prej tyre është arrestuar dhe më pas liruar në procedurë të rregullt, kurse tjetri ndodhet ende në kërkim policor. Në dy rastet e tjera, dy persona janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit pasi kanë ushtruar dhunë dhe keqtrajtim fizik ndaj dy viktimave grave, prej të cilave njëra ka pranuar edhe tretman mjekësor. /E.A/
