Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, brenda një dite janë regjistruar gjashtë raste të dhunës në familje në qytete të ndryshme.
Në rastin e parë në Lipjan, një burrë është denoncuar për dhunë ndaj një gruaje, ku pas intervistimit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Në Prishtinë janë shënuar dy incidente; në njërin prej tyre një burrë është arrestuar dhe liruar pas marrjes në pyetje për dhunë ndaj një gruaje, ndërsa në tjetrin, i dyshuari është dërguar në mbajtje për shkak të dhunës së ushtruar.
Edhe në Pejë është raportuar një përleshje mes tri grave, të cilat janë sulmuar mes vete dhe njëra prej tyre ka marrë tretman mjekësor, por të gjitha janë liruar pas procedurave policore.
Ndërkaq, në Gjakovë një burrë është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për 48 orë nën dyshimin se ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje.
Së fundi, në Mitrovicën e Veriut, dy burra janë shoqëruar në stacion pas një zënke familjare, por me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
