Në raportin një ditor të Policia e Kosovës, brenda 24 orëve të fundit janë raportuar gjashtë raste të dhunës në familje.
Dy raste janë regjistruar në Gjakovë, dy në Prishtinë, një në Pejë dhe një në Rahovec.
Në rastin e parë në Gjakovë një burrë është arrestuar pasi ka sulmuar viktimën grua. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndërsa, në rastin e dytë është arrestuar një burrë dhe një grua pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë përleshur mes veti. Viktimat nuk kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa Policia njofton se në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë. I dyshuari burrë pas intervistimit është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara është liruar.
Ndërkohë, në dy raste të ndara në Prishtinë, në njërin rast është raportuar se një femër është sulmuar fizikisht nga i dashuri i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Në rastin tjetër në Prishtinë, një mashkull dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj nënës së tij dhe ka demoluar shtëpinë. Edhe në këtë rast, pas intervistimit të palëve, me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Në Pejë, dy viktima, nënë e djalë, kanë raportuar se djali, respektivisht vëllai i tyre, ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre. I dyshuari, i cili ishte nën ndikimin e alkoolit, gjatë arrestimit nuk u është bindur urdhrave të policisë dhe ka sulmuar fizikisht dy zyrtarë policorë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Rahovec është arrestuar një femër, pasi dyshohet se ka dëbuar nga shtëpia bashkëshortin e saj dhe e ka kanosur atë. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt.
