Gjashtë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë vendosur të dalin hapur kundër kandidaturës së profesor Bekim Sejdiut për President të Kosovës, duke krijuar një krizë të re politike dhe duke vënë në pikëpyetje marrëveshjen e arritur mes dy subjekteve. Pas këtij bllokimi, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja mbetet parimisht e vlefshme, por ngjarjet e fundit kërkojnë takime të menjëhershme me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.
Vendimi i deputetëve Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Kujtim Shala, Janina Ymeri dhe Armend Zemaj për të mos e votuar Sejdiun i heq marrëveshjes numrat e nevojshëm, duke lënë kandidatin me vetëm 74 vota garanci në Kuvend. Kurti konfirmoi se Grupi Parlamentar i Vetëvendosjes i ka dhënë mbështetje të plotë këtij emri, ndërsa sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së e cilësoi si të papërgjegjshme, absurde dhe tepër të dëmshme, pasi sipas tij po rrezikon ta çojë vendin në zgjedhjet e katërta brenda më pak se dy vjetëve.
Marrëveshja politike e njoftuar të hënën mes LDK-së dhe VV-së ishte arritur me mjaft mund, por refuzimi i brendshëm brenda LDK-së po e dërgon procesin drejt dështimit. Kurti theksoi se për Lëvizjen Vetëvendosje Sejdiu mbetet kandidati i vetëm zyrtar dhe se do të insistojë deri në fund në vlefshmërinë e marrëveshjes.
Lidhur me thirrjen e seancës konstituuese, Kurti sqaroi se i takon deputetit më të vjetër, Avni Deharit, ta thërrasë atë vetëm atëherë kur të ketë garanci se nuk do të ketë tensione apo incidente. I pyetur për një bashkëpunim të mundshëm me AAK-në e cila numëron shtatë deputetë, Kurti u shpreh i hapur për takime, por refuzoi kushtëzimet paraprake të këtij subjekti — përfshirë kërkesën për pranimin e gazit amerikan — duke kërkuar dialog pa barriera.
/E.A/
