UBT News

Gjakovë: Një i vrarë dhe një i plagosur nga të shtënat me armë zjarri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Gjakovë, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagos një tjetër.

Policia ka nisur një operacion të gjerë për arrestimin e të dyshuarit, i cili tashmë është identifikuar.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, dha detaje mbi gjendjen e viktimave:

“Sot rreth orës 05:30, jemi njoftuar se në rrugën ‘Vëllezërit Frashëri’ në Gjakovë dy persona meshkuj, të moshës madhore, janë qëlluar me armë zjarri. Si pasojë e plagëve të marra, njëri prej tyre ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes (ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij). Personi tjetër ka mbetur i plagosur dhe është dërguar për trajtim mjekësor”, tha Elezaj për UBTnews.

I dyshuari që po kërkohet është pronari i lokalit ku ndodhi incidenti, ndërsa dyshohet se personi i plagosur u qëllua aksidentalisht, pasi nuk kishte lidhje me shkakun e konfliktit fillestar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitë relevante dhe Prokurori i Shtetit për të udhëhequr hetimet.

Elezaj shtoi se po punohet me intensitet të lartë për kapjen e autorit.

“Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe është njoftuar prokurori i shtetit i cili po ashtu ka dalë në vendin e ngjarjes. Aktualisht po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të arrestimit të të dyshuarit dhe zbardhjes së plotë të rrethanave të ngjarjes.”

Aktualisht, operacioni i kërkimit po vazhdon në disa lokacione, ndërsa policia bën thirrje për bashkëpunim nga qytetarët që mund të kenë informacione mbi vendndodhjen e të dyshuarit.

 

Exit mobile version