Akil Gjakova dhe Distria Krasniqi u shpallën sportistët më të mirë të vitit 2023 nga Komitetit Olimpik i Kosovës në ceremoninë e laureatëve të zhvilluar të mërkurën.
Para tyre, si trajneri më i mirë u shpall njeriu që iu priu sukseseve të Distrisë dhe Akilit, Driton Kuka. Ai theksoi se viti 2023 ishte tejet i veçantë pasi që përjetoi emocione të mëdha në Evropianin e Xhudos që u mbajt në Prishtinë.
“E kam potencuar disa herë që për mua ka qenë më e vështirë të ulem në karrige në finalen e Akilit në Prishtinë se sa në tri finalet e Lojërave Olimpike…Jemi në vit olimpik, dhashtë Zoti këtë vit, punë do të bëjmë shumë, na duhet pak edhe fati sportiv që nga Parisi të kthehemi me medalje olimpike”, deklaroi ai.
E Akil Gjakova vitin 2023 e cilësoi si më të mirën në karrierën e tij, por premtoi se do të punojë fuqishëm që të shënojë sukses të madh edhe në Lojërat Olimpike Parisi 2024.
“Unë me trajnerin tim dhe me gjithë shokët dhe shoqet e klubit, me shumë përkushtim dhe bindje do të mundohemi ta sjellim Kosovën në piedestalin më të lartë në Lojërat Olimpike”, deklaroi ai.
Kurse Distria Krasniqi, sukseset e saj ia dedikoi trajneri Driton Kuka duke thënë se pa mbështetjen e tij nuk do t’i arrinte këto rezultate.
“Një falënderim për trajnerin tim i cili gjithmonë më ka udhëhequr drejt sukseseve edhe ndihem shumë me fat që kam përkrah një trajner të tillë kaq të përkushtuar dhe pa të cilin këto suksese nuk do të ishin të mundura”, deklaroi ajo.
Lojërat Olimpike Parisi 2024 mbahen gjatë muajve korrik-gusht./UBTNews/