UBT News

Gigi Hadid rikthehet në pasarelë pas pesë muajsh, shkëlqen në Javën e Modës në Paris

Modelja e njohur Gigi Hadid është rikthyer në pasarelë pas një pauze gati pesëmujore, duke marrë pjesë në sfilatën e Balenciaga-s në kuadër të Javës së Modës së Lartë në Paris. Kjo ishte paraqitja e saj e parë në pistë që nga muaji shkurt.

Hadid tërhoqi vëmendjen me një krijim avangardë të Balenciaga-s, i përbërë nga pupla të zeza që mbulonin kokën, fytyrën dhe pjesën e sipërme të trupit. Kombinimi u plotësua me pantallona të zeza me prerje shumë të gjera, në stilin karakteristik të shtëpisë së modës.

Sfilata shënoi gjithashtu prezantimin e koleksionit të parë haute couture të drejtorit të ri krijues të Balenciaga-s, Pierpaolo Piccioli. Koleksioni solli silueta të guximshme dhe dizajne moderne, ku paraqitja e Hadid ishte ndër më të komentuarat.

Para këtij rikthimi, Gigi Hadid kishte ecur për herë të fundit në pasarelë në muajin shkurt, gjatë prezantimit të koleksionit Vjeshtë 2026 të Ralph Lauren.

Në atë sfilatë, ajo u shfaq fillimisht me një jelek të thurur ngjyrë kafe dhe një fund të gjatë, të kombinuar me një bluzë të zezë me jakë të rrumbullakët, rrip me detaje argjendi dhe çizme lëkure. Më pas, modelja prezantoi edhe një fustan elegant prej kadifeje pa mëngë, të shoqëruar me një pelerinë të zbukuruar me elemente që ngjanin me xhevahire dhe një rrip të gjerë që theksonte siluetën./A.K/

Exit mobile version