UBT News

Gigi Hadid i del në mbrojtje redaktores së “Vogue”, e quan ngacmues Kanyen

Modelja Gigi Hadid i reagoi reperit Kanye West, duke e quajtur atë ‘ngacmues’ pas ofendimeve që ia bëri redaktores së Vogue, Gabriella Karefa-Johnson, në një sërë postimesh në rrjete sociale.

Reperi debutoi me koleksionin e tij “Yeezy Season 9” më 3 tetor në një sfilatë gjatë Javës së Modës në Paris. Në koleksionin e tij u prezantuan edhe disa këmisha me sloganin “White Lives Matter”. Edhe ai e veshi një të tillë në sfilatën e modës. Redaktorja e Vogue e kritikoi Kanyen, dhe ai iu kundërpërgjigj duke përqeshur me stilin e saj të veshjes. Pikërisht atëherë supermodelja Hadid reagoi.

“Ti do të doje ta kishe 1 për qind të mençurisë së saj. Nuk e ke idenë që nëse veprimet e tua të çuditshme do të kishin ndonjë qëllim apo kuptim të caktuar, atëherë ajo është personi i vetëm që mund të të shpëtojë nga keqkuptimet. Ti sillesh sikur ‘nderi’ i të qenit i ftuar në sfilatën tënde duhet ta pengojë dikë ta japë mendimin e saj personal. Thjesht, je një ngacmues, bullizues dhe burrë jo serioz”, komentoi Gigi në një prej postimeve të reperit.

Ajo më pas postoi edhe një storie, ku shkroi se Karefa-Johnson është “një nga zërat më të rëndësishëm” në industrinë e modës dhe mund ta “mësojë atë njeri të turpshëm”.

Përveç Hadid, edhe të famshëm të tjerë të Hollivudit, sikurse Hailey Bieber dhe Jodie Turner-Smith, i reaguan reperit West./UBTNews/

Exit mobile version