Ish-ylli i Manchester Unitedit, Ryan Giggs, është deklaruar i pafajshëm para gjykatës të mërkurën, për akuzat për sulm fizik ndaj dy grave.
Ndaj 47-vjeçarit nga Uellsi është ngritur aktakuzë për shkaktimin e lëndimeve trupore ndaj një gruaje në të 30-at e saj dhe sulm ndaj një gruaje tjetër në të 20-at e saj, si dhe për sjellje kontrolluese dhe shtrënguese nga viti 2017 deri në vitin 2020, transmeton Gazeta Express.
Giggs doli para gjykatës në Manchester, ku u deklarua i pafajshëm për të gjitha tri pikat e aktakuzës.
Javën e kaluar, ai e lëshoi një komunikatë ku tha: “Kam respekt të plotë për procesin ligjor dhe e kuptoj rëndësinë e akuzave. Do të deklarohem i pafajshëm në gjykatë dhe mezi pres ta pastroj emrin tim”.
Pas deklarimit në gjykatë, Giggs do të dalë para trupit gjykues më 26 maj.
Ai është liruar me kusht deri në kohën e gjykimit, me kusht që nuk iu afrohet asnjërës prej dy grave ndaj të cilave akuzohet se ka ushtruar dhunë.