UBT News

​Gërvalla: Përveç parave, kemi nevojë edhe për përvojën e bashkatdhetarëve

Diaspora mund të sjellë diçka më shumë me rëndësi se financat në Kosovë dhe se relevanca e saj është e padiskutueshme. Kështu u tha në organizmin e ditës së dytë të Forumit Ndërkombëtar “Ulpiana” nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla u shpreh e lumtur që Qeveria e Kosovës dhe institucionet kanë shprehur gatishmëri të madhe për ta bërë diasporën një nga prioritet kryesore të këtij mandati. Ajo shtoi se ‘përveç parave, ne kemi nevojë edhe për përvojën e tyre’. Teksa potencoi faktin se diaspora sjellë në Kosovë çdo vit mbi 1 miliard euro.

“Diaspora për Kosovën nuk paraqet vetëm një temë që ju si qeveri vendosni të merreni me të, por e shihni që diaspora është një zgjatim i natyrshëm i vendit tonë…Jam e lumtur që në Qeverinë e Kosovës dhe institucionet tona kam gjetur një gatishmëri të madhe për ta bërë diasporën një nga prioritetet kryesore në këtë mandat…Diaspora jonë ka nevojë jo aq shumë për Kosovës, kur bëhet fjalë për jetën dita ditës. Por, jo vetëm Kosovën, të gjitha rajonet kanë nevojë për diasporën të cilët jetojnë në demokraci të hapura dhe të zhvilluara…Diaspora mund të sjellë diçka më shumë me rëndësi sesa financat, ata sjellin më shumë se 1 miliard euro në Kosovë, që është 1/3 e buxhetit tonë shtetëror dhe nuk është shumë e vogël kjo. Por, përveç parave që diaspora sjell ne kemi nevojë për përvojën e tyre nga demokracitë e zhvilluara dhe vullnetin e tyre për të parë Kosovën që të arrijë fazën me shtetet ku ata jetojnë”, tha Gërvalla.

Ajo shtoi se janë bërë hapa të rëndësishëm qe t’u mundësohet diasporës të votojnë për Kosovë, jo vetëm përmes postës, por edhe nëpër ambasada e konsullata.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se rëndësia e diasporës është e padiskutueshme. Ai shtoi se si shtet multidemokratik kanë përfshirë diasporën në procesin e regjistrimit të popullatës, derisa potencoi se rreth 258 mijë njerëz janë regjistruar si anëtarë të diasporës.

Osmani tha se nga përvoja e tij si ministër, ka arritur në përfundim se mënyra e vetme për ta ndalur trendin e rritjes së migrimit të njerëzve, është ‘t’i bashkangjitemi Bashkimit Evropian’.

“Pasi që jemi shtet multidemokratik dhe që kemi asimetrinë në diasporën tonë, kemi vendosur që kësaj radhe ta përfshijmë edhe diasporën në procesin e regjistrimit të popullsisë, por kjo është vetë regjistrim…Bazuar në këtë proces 258 mijë njerëz janë regjistruar si anëtarë të diasporës. Kemi vlerësuar se një shifër e ngjashme nuk është regjistruar, kështu që mund të konsiderojmë që diku 400-500 mijë njerëz janë pjesë të komunitetet të diasporës së Maqedonisë së Veriut…Si të parandalohet trendi i vazhdueshëm i migrimit…Në 30 vjetet e pavarësisë tonë kemi provuar çdo gjë, besoni që ka qenë vetëm zgjidhje e pjesshme e sfidave që kemi pasur, kemi arritur tek një përfundim e vetmja mënyrë që ta ndalojmë migrimin, që t’i mbajmë të rinjtë tanë në vend tonin, mos ta rrisim komunitetin e diasporës, është që t’i bashkëngjitemi Bashkimit Evropian”, tha Osmani.

Ai shtoi se për të krijuar mundësi më të mira për diasporën duhet krijuar ligji për ta dhe të ketë kornizë ligjore gjithëpërfshirëse.

Ndërkaq, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi tha se të kuptuarit e nevojave të diasporës është me rëndësi për çdo vend.

“Të kuptuarit e nevojave të diasporës është shumë me rëndësi për çdo vend. Ne besojmë duke i kthyer kontributin nga komuniteti, është një lloj sfide. Kemi fuqinë që të ndërtojmë shtete jo vetëm brenda kufijve, por edhe përtej tyre. Mu për këtë kemi krijuar forumin ‘Ulpiana’, që të shërbejë si platformë e cila lidhë urat që sjellin qeveritë rreth botës, për të diskutuar për nevojat e komuniteteve jashtë vendit…Sot do të paraqesim draft strategjinë tonë si do ta përdorim temat për t’u lidhur me juve të gjithëve. Ne kemi për qëllim të formalizojmë diplomacinë e diasporës si hapa institucional përmes ambasadave dhe konsullatave…Ne kemi lansuar dy programe vitin e shkuar, këto dy programe janë me rëndësi, që të ndahen me qeveritë tjera nëpër botë”, potencoi Gashi.

Forumi “Ulpiana”, si një nga ngjarjet më të rëndësishme ndërkombëtare në vend synon të avancojë marrëdhëniet midis qeverive dhe politikave nëpërmjet angazhimit të diasporës dhe zhvillimit ndërkombëtar.

Forumi do të zgjasë deri nesër (e shtunë), ku do të ketë aktivitete të ndryshme.

Exit mobile version