Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në një intervistë ku ka diskutuar për situatën politike në Kosovë dhe në rajon, ka komentuar atentatin e fundit ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e vlerësuar si një sulm tmerrësisht të shqetësueshëm që tregon për gjendjen e cila po ndodh me rritjen e sulmeve ndaj politikanëve në përgjithësi. Gërvalla ka shtuar se asnjë atentat politik nuk duhet të motivohet në mënyrë pozitive.
Ministrja Gërvalla gjithashtu ka folur për sigurinë në Kosovë, duke përmendur sulmin e fundit në Banjskë nga një grup terroristësh serb. Ajo ka shprehur vetëdijen e shtuar për nevojën e kujdesit të rritur në rajon, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve të Kosovës me aleatët e Rusisë dhe Kinës.
Në lidhje me marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gërvalla ka theksuar se këto marrëdhënie janë të palëkundura dhe do të mbeten të tilla për shkak të besimit të thellë të Kosovës në vlerat dhe demokracinë amerikane.
Ministrja ka përmendur gjithashtu mundësinë e rikthimit të Administratës Trump dhe ka bërë thirrje për përgatitje nga ana e Kosovës nëse kjo do të ndodhë, duke ecur me kujdes në çështjen e kufijve dhe të gjitha lëvizjeve të tjera që mund të ndodhin.
“Nuk mendoj…nuk do të doja të përjashtoja një gjë të tillë, por gjithçka varet edhe na ne. Sepse asnjë lëvizje nuk mund të bëhet në Kosovë dhe për Kosovën nëse të zgjedhurit e ligjshëm të këtij vendi nuk japin miratimin e tyre”, tha ministrja.
Sa i përket zgjedhjeve në Kosovë, Gërvalla ka kritikuar opozitën për mosgatishmërinë e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa ka përmendur se pritet të mbahen zgjedhje të reja në muajin shkurt, duke shprehur se ky do të jetë një lajm i mirë për stabilitetin politik në vend.
Gërvalla ka përfunduar intervistën duke theksuar se Kosova nuk do të lejojë zbatimin e Asociacionit në mënyrë të njëanshme, duke insistuar se çdo lëvizje në këtë drejtim duhet të bëhet në përputhje me pakoja aktuale të negociuara me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel./UBTNews/