Këtë të shtune, me fillim nga ora 16:00 do të zhvillohet përballja mes gjigantit anglez, Liverpool dhe skuadrës së Aston Villas, e vlefshme kjo për xhiron e 16 të Premier Ligës angleze.
Gjëja më interesante e kësaj ndeshjeje është që legjenda e Liverpoolit, Steven Gerrard rikthehet në stadiumin “Anfield Road”, por tani në rolin e trajnerit të Aston Villas.
Gerrard do të rikthehet te klubi i tij i fëmijërisë, dhe rreth kësaj ka folur vetë trajneri anglez, duke thënë që ai do të mundohet që të nxjerrë rezultatin e duhur për Aston Villan.
“Me të vërtetë e respektoj dhe e kuptoj zhurmën që është krijuar rreth kësaj ndeshjeje për arsye të caktuara. Kjo zhurmë është për njerëz të tjerë që të emocionohen. Për mua, është që të përgatis skuadrën në mënyrën më të mirë të mundshme, të provoj dhe të nxjerrë një rezultat të duhur për Aston Villan”, tha Gerrard në konferencën e tij për media.
“Për të gjithë të tjerët, është një rast i veçantë. Për mua është vetëm tre pikë, është një ndeshje e madhe e futbollit dhe janë 90’ minuta që neve na duhet të fokusohemi. Nëse jam në autobus, duke u rikthyer në M6 drejt Birmingham dhe nuk jam njeriu favorit në Anfield, le të qëndrojë ashtu”, shtoi legjenda e Liverpoolit.
Steven Gerrard u largua nga Liverpooli në sezonin 2014/15 pas një karriere të suksesshme që përfshin plot 186 gola në karrierë me “Të Kuqtë”, dhe iu bashkua skuadrës amerikane Los Angeles Galaxy në Ligën e Amerikës (MLS).